Prej disa ditësh Edi Rama ndodhet në New York bashkë me bashkëshorten e tij, Lindën, në kuadër të sesionit të përvitshëm të OKB-së dhe mes të tjerash, patën shancin të shkrepin një foto ceremoniale me çiftin presidencial Donald dhe Melania Trump. Siç mund të pritet, fotoja e dy çifteve, më të përfolurit në Shqipëri dhe më të përfolurit në botë, ndolli një sërë reagimesh.
Si fillim, pse gratë qëndrojnë në anë dhe burrat në mes? Pse Donald Trump e ka vendosur dorën e tij përpara asaj të Ramës, mos vallë mendon se është më i gjatë? Pse Linda ka zgjedhur të veshë pikërisht atë fustan, shoqëruar me ato geta dhe ato sandale me rripa? Pse Rama bëri një foto me Trump nëse deri pak kohë më parë thoshte ‘larg qoftë të bëhet president’? Sa para kanë paguar për të realizuar foton? Dhe e fundit por jo më pak e rëndësishme, ku janë atletet e bardha të Ramës? Të gjitha këto pyetje të postuara në Facebook-un e kryeministrit mbeten pa përgjigje.
Por realisht, ku janë atletet e bardha të Ramës? Kryetari i së majtës prej disa javësh shfaqet në çdo event zyrtar dhe takime të niveleve të larta me atlete: në samitin e Triestes, në samitin e Adriatikut, në betimin e presidentit Meta. Këtë zgjedhje të pazakontë të tij e ka dëshmuar Angela Merkel, Emmanuel Macron, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev etij, por Trump nuk e pati fatin.

Rama u paraqit me këpucë, kostum zyrtar dhe kollare me ngjyra dhe ky detaj nuk i shpëtoi syrit të qytetarëve. “Të ishe burrë shkoje me atlete dhe na bindje të gjithëve që ke patur një arsye që gjithandej ke veshur atlete të bardha,” komenton dikush. Mos kjo do të thotë se këpucët e Ramës ndryshojnë në varësi të rëndësisë së takimit dhe deri më tani vetëm Trump ka merituar këpucët serioze, apo mbase Trump s’do pranonte të pozonte krah dikujt me atlete, pse ai vetë s’di të veshë atlete?

Shumë është kritikuar edhe Linda Rama për veshjen me të cilën është prezantuar në takim. Një fustan dimëror i kadifenjtë në ngjyrë lejla, geta të trasha të zeza dhe taka lustrafinë me një rrip që zgjatet deri tek kyçi i këmbës. Në dallim nga Melania që kishte zgjedhur një fustan të zi pa mëngë dhe dukej elegante, ndonëse të jepte përshtypjen se nuk ishte përpjekur fare.
Ndjekësit në Facebook-un e kryeministrit kanë rekomanduar të këshillohet nga dikush, në mënyrë që të ketë rritje të performancave në vijim.
No comments:
Post a Comment